Shqipëria shënon sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me Vlorën në qendër të festimeve. Ceremonia shtetërore e ngritjes së flamurit kuqezi bëri bashkë krerët më të lartë të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, mes tyre kryeministrin Edi Rama, kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Si çdo vit, Vlora është kthyer në kryeqendrën e festimeve të 28 Nëntorit, në qytetin ku më 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u ngrit flamuri kombëtar.
Ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit u zhvillua nën tingujt e Himnit Kombëtar, duke mbledhur përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të të dy vendeve.
Pas ceremonisë, aktivitetet vijuan me homazhe në vendprehjen monumentale të Ismail Qemalit. Kryeministri Edi Rama, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosën kurora me lule në nderim të themeluesit të shtetit shqiptar.
Pjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shënoi gjithashtu një moment të veçantë të ceremonisë, pasi ai kishte munguar në këtë aktivitet një vit më parë. Në krah të tij ishte edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Shqipëri.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës dhe ministrja Erjona Ismaili.
Ndërkohë, atmosfera festive e 28 Nëntorit është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Qytetarët kanë mbushur sheshet me flamuj dhe simbole kombëtare, duke kremtuar 114-vjetorin e Pavarësisë.

