Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar 28 Nëntorin, duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë dhe rrugëtimin e shqiptarëve për ruajtjen e flamurit kombëtar.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se flamuri shqiptar është ruajtur ndër breza edhe në periudhat kur shqiptarëve në Kosovë u ndalohej ta shfaqnin atë.
Ai ka përmendur sakrificat e shqiptarëve që e ruajtën flamurin në shtëpitë e tyre, e morën me vete në mërgim, vuajtën burgje dhe luftuan për liri nën të.
“Secili brez ka përgjegjësinë e vet ndaj atdheut. Ata para nesh na e lanë flamurin të lirë. Ne u detyrohemi fëmijëve tanë t’u lëmë një shtet të fortë e të drejtë, një shoqëri që di të bëhet bashkë dhe një atdhe ku ata duan ta ndërtojnë jetën e tyre”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me urimin: “Me fat 28 Nëntori, shqiptarë kudo që jeni!”

