Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nisur festën e 28 Nëntorit me homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, ku ka nderuar komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, si dhe të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Haxhiu ka rikujtuar tri ngjarje historike që, sipas saj, e bëjnë Nëntorin një muaj të veçantë për historinë kombëtare shqiptare: ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Krujë më 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912 dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997.
Ajo ka theksuar se Prekazi dhe familja Jashari zënë një vend të veçantë në këtë rrugëtim historik, duke veçuar sakrificën e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij në luftën për liri.
“Komandanti Adem Jashari, i lindur pikërisht më 28 Nëntor, bashkë me familjen e tij zgjodhi të mos dorëzohej asnjëherë. Rezistenca e tyre e armatosur deri në frymën e fundit u bë kushtrim për një popull të tërë dhe pikë kthese në luftën tonë për liri”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo i ka cilësuar Jasharajt si “lavdia e kombit tonë dhe përjetësisht familja e secilit shqiptar”, duke u përulur para sakrificës së tyre dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së.
“Flamurin që ata e mbajtën lart, do ta mbajmë lart edhe ne, brez pas brezi, besnikë ndaj vlerave për të cilat luftuan”, ka përfunduar Haxhiu mesazhin e saj.
Ajo e ka përmbyllur urimin me fjalët: “Lavdi dëshmorëve të kombit!”

