Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të produktit “Pleskavicë Buquku 0.5 kg”, të prodhuar nga kompania Buquku SH.P.K. në Pejë, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar nivele të bakterit Escherichia coli (E. coli) mbi pragun referues të përcaktuar për higjienën e procesit të prodhimit.
Sipas njoftimit të AUV-së, jokonformiteti është konstatuar gjatë kontrolleve zyrtare në produktin me numër aprovues RKS-144 dhe datë prodhimi 12.11.2026.
Raporti laboratorik nr. 5640/2026 ka evidentuar rezultate të pakënaqshme për praninë e bakterit E. coli, në raport me kriteret mikrobiologjike të përcaktuara në legjislacionin për produktet ushqimore.
Pas këtyre rezultateve, inspektorët e AUV-së kanë urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të produktit dhe tërheqjen nga tregu të sasive të mbetura.
Prodhuesi obligohet të identifikojë burimin e kontaminimit
Kompania prodhuese është obliguar të identifikojë burimin e kontaminimit, të dokumentojë gjurmueshmërinë e produktit dhe të ndërmarrë masa korrigjuese për përmirësimin e higjienës gjatë prodhimit.
Masat përfshijnë edhe kontrollin e lëndës së parë dhe verifikimin e funksionimit të sistemit të vetëkontrollit HACCP.
Sipas AUV-së, prodhimi nuk do të lejohet të rifillojë pa u eliminuar mangësitë e konstatuara, pa u konfirmuar përmbushja e kritereve mikrobiologjike përmes analizave laboratorike dhe pa u rivlerësuar kushtet e prodhimit nga inspektorët e Agjencisë.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar mbikëqyrje të shtuar ndaj operatorëve që kanë jokonformitete të përsëritura, si dhe rivlerësimin e profilit të tyre të rrezikut dhe verifikimin e masave të ndërmarra pas kontrolleve të mëparshme.
AUV ka theksuar se përgjegjësia për respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore u takon operatorëve që prodhojnë dhe vendosin produkte në treg, ndërsa Agjencia ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e këtyre standardeve dhe të ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

