Kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij është e gatshme të rikthehet menjëherë në bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, në të cilin siguroi besimin e delegatëve për të vazhduar mandatin si kryetar i LDK-së, Abdixhiku tha se pezullimi i negociatave, i vendosur për shkak të zhvillimeve të brendshme në parti, tashmë ka marrë fund.
“Nga ky moment e heq pezullimin dhe LDK-ja hapet për diskutim për çështjen e institucioneve”, deklaroi Abdixhiku në konferencën për media.
Pranon diskutimet për balancën e pushteteve
Abdixhiku konfirmoi gjithashtu se gjatë takimit të parë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, është diskutuar edhe koncepti i balancës së pushteteve.
Sipas tij, ky parim nënkupton që asnjë parti e vetme nuk duhet të kontrollojë të gjitha institucionet shtetërore, duke theksuar rëndësinë e ndarjes së përgjegjësive institucionale.
Megjithatë, ai mohoi se në takimin me Kurtin është arritur ndonjë marrëveshje konkrete apo dakordim politik për formimin e qeverisë.
Deklaratat e Abdixhikut vijnë menjëherë pasi ai mbijetoi votëbesimin në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, duke siguruar vazhdimin e mandatit në krye të partisë me 169 vota pro, kundrejt 152 votave që mbështetën shkarkimin e tij.
Rikthimi i LDK-së në tavolinën e negociatave pritet t’i japë një dinamikë të re përpjekjeve për zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve të Kosovës.

