Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i kishte ofruar partisë së tij tri ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e ardhshme.
Abdixhiku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se kjo ofertë është refuzuar nga partia e tij, duke e cilësuar si përfshirje që nuk do të garantonte rol të barabartë politik.
“Vetëvendosje kërkonte prani dekorative të LDK-së në qeveri, ku LDK-së i janë propozuar vetëm tri ministri dhe zëvendëskryeministri. Ne refuzuam një nënshtrim të tillë”, deklaroi Abdixhiku.
LDK tërhiqet nga të gjitha kërkesat për poste
Pas refuzimit të ofertës, Abdixhiku njoftoi se LDK-ja ka marrë vendim që të heqë dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në Qeverinë e ardhshme, duke përfshirë ministritë dhe pozitën e zëvendëskryeministrit.
Partia, sipas tij, nuk do të kërkojë më as postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa ka hequr dorë edhe nga pretendimi për Presidencën.
“LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri dhe heqim dorë nga kërkesa për presidentin. LVV nuk do ta ketë LDK-në si dekor. LDK qëndron në opozitë”, tha Abdixhiku.
“Koalicionet ndërtohen në bazë të besimit”
Kreu i LDK-së tha se pas refuzimit të ofertës së LVV-së ka pasur përplasje publike ndërmjet dy subjekteve politike, duke nënvizuar se bashkëpunimi institucional nuk mund të ndërtohet pa besim.
“Koalicionet ndërtohen në bazë të besimit”, deklaroi ai.
Abdixhiku ka argumentuar se kërkesa e mëhershme e LDK-së për Presidencën nuk kishte qenë e motivuar nga përfitimi partiak, por nga synimi për krijimin e një ekuilibri institucional.
Megjithatë, pas zhvillimeve të fundit, LDK-ja ka vendosur të mos kushtëzojë më procesin institucional me kërkesa për poste.
LDK: Do të qëndrojmë në opozitë
Abdixhiku bëri të qartë se partia e tij do të mbetet në opozitë, por tha se kjo nuk nënkupton bllokim të proceseve institucionale.
LDK-ja, sipas tij, është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike edhe pa marrë poste në institucionet e ardhshme.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me ngërçin institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa Kuvendi ende nuk e ka përfunduar konstituimin dhe mbetet e hapur edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
