Një aksident trafiku në autostradën A1 Zagreb–Split–Dubrovnik ka shkaktuar kaos në qarkullim gjatë mëngjesit të sotëm, duke krijuar kolona të gjata automjetesh që kanë arritur deri në 25 kilometra.
Sipas të dhënave të Klubit Kroat të Automobilave (HAK), bllokimi është krijuar në drejtim të Dubrovnikut, mes zonës së pushimit Draganić dhe kryqëzimit të Karlovacit.
Rreth orës 07:00, kolona ishte rreth 25 kilometra e gjatë, ndërsa pak para orës 08:00 ishte reduktuar në rreth 10 kilometra. Megjithatë, trafiku në këtë pjesë të autostradës vijon të jetë i vështirësuar.
Rrugët drejt Adriatikut me ngarkesë të lartë
HAK ka paralajmëruar se fluksi i shtuar i automjeteve po shkakton probleme edhe në akse të tjera kryesore rrugore në Kroaci.
Në autostradën A2 Zagreb–Macelj, para pikës së pagesës Trakošćan në drejtim të Zagrebit, është krijuar një kolonë rreth një kilometër e gjatë.
Bllokime janë raportuar edhe para kryqëzimit Zagreb Zapad, ndërsa në autostradën A3 Bregana–Lipovac trafiku po zhvillohet më ngadalë për shkak të numrit të madh të automjeteve.
Në unazën e Zagrebit, në drejtim të pikës së pagesës Lučko nga ana e Buzinit, është formuar një kolonë rreth dy kilometra e gjatë.
Vështirësi edhe në autostrada të tjera
Probleme me qarkullimin janë evidentuar edhe në autostradën A4 Goričan–Zagreb, ku trafiku është ngadalësuar nga kryqëzimi Popovec deri te kryqëzimi Zagreb Lindor.
Ngarkesë e madhe është regjistruar gjithashtu në rrugën shtetërore DC1 Zagreb–Karlovac–Split, ku lëvizja mes Zagrebit dhe Karlovacit po zhvillohet në kolona me ndërprerje të herëpashershme.
Punimet në rrugë kanë krijuar vështirësi edhe në segmentin mes Kninit dhe Graçacit, veçanërisht pranë zonës së Otriçit.
HAK: Kontrolloni gjendjen e rrugëve para nisjes
Klubi Kroat i Automobilave u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e trafikut dhe të llogarisin kohë më të gjatë udhëtimi.
Shoferëve u rekomandohet të kontrollojnë gjendjen e rrugëve para nisjes dhe, nëse është e mundur, të shmangin oraret me ngarkesë të lartë për shkak të rrezikut të krijimit të kolonave të reja.

