Një kërcënim serioz për bombë ka shkaktuar sot evakuimin urgjent të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke ndërprerë zhvillimin normal të seancës parlamentare.
Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, i cili konfirmoi se mesazhi kërcënues ishte dërguar në gjuhën angleze, dhe sipas përmbajtjes, një bombë ishte vendosur në objekt, e cila supozohej se do të shpërthente brenda 10 minutave.
“Sipas njoftimit që është dhënë nga Policia në sallën plenare, është kërkuar evakuimi i menjëhershëm sepse një person ka thirrur dhe ka thënë se një bombë është vendosur në ndërtesën e Kuvendit dhe do të shpërthejë pas 10 minutave,” tha Loshi.
Ai bëri të ditur se njoftimi zyrtar për evakuim iu dha administratës nga Policia e Kosovës, ndërsa nuk konfirmoi kujt saktësisht i ishte dërguar mesazhi kërcënues.
“Policia i ka të gjitha të dhënat. Ne, si administratë, nuk i posedojmë. Nuk mund të konfirmoj apo mohoj diçka për të cilën nuk kemi informacione të plota,” deklaroi ai.
Seanca e Kuvendit, e ndërprerë nga incidenti, është shtyrë për në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, konfirmoi tutje Loshi.
Forcat e sigurisë dhe njësitet për deminim po kryejnë kontroll të plotë të hapësirave të Kuvendit, ndërkohë që autoritetet janë në hetime për të zbuluar origjinën e thirrjes dhe identitetin e personit që dha alarmin.
Incidenti ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik dhe mes zyrtarëve shtetërorë, ndërsa pritet që organet kompetente të dalin me më shumë informacione gjatë ditës.