Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një letër që ia kishte dërguar kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në shtator të vitit 2022, me rastin e 5-vjetorit të arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Në letër, Kurti kërkon lirimin me kusht të të akuzuarve, duke argumentuar se paraburgimi ka qenë i vështirë për ta dhe për familjet e tyre, veçanërisht për bashkëshortet dhe fëmijët. Ai thekson se Policia e Kosovës mund të sigurojë mbikëqyrjen e tyre në arrest shtëpiak dhe është i gatshëm të ofrojë garanci shtetërore për të gjithë të akuzuarit.
“Ne besojmë se të akuzuarit mund të kthehen në shtëpi ndërkohë që presin gjykimin… Për ta lehtësuar këtë proces si për familjet, ashtu edhe për të akuzuarit, jam i gatshëm të ofroj garanci shtetërore për lirimin me kusht të të gjithë të akuzuarve,” shkruan Kurti.
Ai gjithashtu rikujton se Prokuroria ka përfunduar rastin dhe nuk ka më dëshmitarë të rinj që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit. Kurti thekson se qëndrimi i tij për lirimin me kusht ka qenë konstant dhe se të gjitha garancitë ligjore dhe shtetërore për një përgjigje pozitive janë të pranishme në Kosovë.
Ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – ndodhen në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon.

