Kryeministri Albin Kurti ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se Kosova është ndër vendet e pakta në botë që shënon përmirësim në sundimin e ligjit, sipas Indeksit të Sundimit të Ligjit 2025 të Projektit të Drejtësisë Botërore (World Justice Project).
Sipas Kurtit, Kosova renditet e treta në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, ndërsa e dyta në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6), duke dëshmuar progres të qëndrueshëm gjatë pesë viteve të fundit.
Në këtë indeks, Kosova kryeson në katër fusha kryesore:
✅ Kufizimet në pushtetin qeveritar
✅ Rendi dhe siguria
✅ Mungesa e korrupsionit
✅ Qeverisja e hapur
“Rezultatet na tregojnë se po ecim në drejtimin e duhur – teksa mbetemi të përkushtuar për të bërë më shumë, veçanërisht në forcimin e sektorit të drejtësisë, si një nga prioritetet tona kryesore për mandatin e ardhshëm,” ka shkruar Kurti në reagimin e tij.
Postimi i tij vjen në një kohë kur shumë vende të botës po përballen me rënie të ndjeshme të standardeve të sundimit të ligjit, ndërsa Kosova shihet si një shembull pozitiv në rajon për përmirësimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit.


