Albulena Haxhiu ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Camp Bondsteel, së bashku me pjesëtarët e Grupit për Mbështetje në Ballkan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu tha se 4 Korriku përfaqëson një nga parimet më të rëndësishme të demokracisë – vullnetin e popullit si burim i lirisë dhe i pushtetit.
Ajo theksoi se për Kosovën kjo datë lidhet ngushtë me miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar rolin e SHBA-së në momentet më të rëndësishme të historisë së vendit.
“Për ne në Kosovë, kjo datë është e pandashme nga miqësia me Shtetet e Bashkuara, të cilat na janë gjendur pranë në çastet më të rënda dhe më përcaktuese të historisë sonë”, shkroi Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se ushtarëve dhe qytetarëve amerikanë ua ka përcjellë urimet më të përzemërta për Ditën e Pavarësisë, duke shprehur njëherësh mirënjohjen për aleancën mes Kosovës dhe SHBA-së.
Në fund të mesazhit të saj, Haxhiu uroi: “Gëzuar 4 Korrikun!”

