Pas zhvillimeve të fundit politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, ambasadorët e vendeve të QUINT-it janë parë duke hyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, veturat e ambasadorëve janë parë para ndërtesës së Qeverisë, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar për arsyen e takimit apo temat që po diskutohen.
Ky zhvillim vjen në një moment të tensionuar politik, pas debateve të fundit rreth procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe përplasjes institucionale ndërmjet Presidencës dhe shumicës parlamentare.
Ndërkohë, në Presidencë pritet që së shpejti të mbahet një konferencë për media nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pritet të deklarohet për zhvillimet e fundit rreth kësaj çështjeje.
Ende nuk dihet nëse takimi i ambasadorëve të QUINT-it në Qeveri lidhet drejtpërdrejt me situatën politike të krijuar në vend.

