Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës.
Përmes një mesazhi, Hargreaves i ka uruar suksese në detyrën e re dhe ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me presidenten e re dhe institucionet e Kosovës.
“Urimet e mia të përzemërta për Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj si Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj çdo sukses në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar ambasadori britanik.
Hargreaves ka thënë se pret të punojë me presidenten dhe institucionet e Kosovës për të thelluar partneritetin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.
“Pres të punoj me Presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës për të thelluar partneritetin tonë të kahershëm, ndërsa Kosova ecën drejt së ardhmes së saj multietnike, demokratike dhe euroatlantike”, thuhet në mesazhin e tij.
Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në seancën e 6 tetorit, me 81 vota të deputetëve, pas së cilës dha betimin para Kuvendit.

