Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, ka dërguar një mesazh të qartë për institucionet e Kosovës, duke e cilësuar vitin që po lëmë pas si “një vit të humbur” në rrugën drejt integrimit evropian.
Në një deklaratë për mediat, Orav theksoi se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zgjerimit, por shtoi se në rastin e Kosovës, përparimi është i mundur vetëm me partnerë të qëndrueshëm politikë dhe me një qeveri që gëzon shumicë të fortë në Kuvend.
“Jemi në një kohë vendimtare për Kosovën, për Ballkanin Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Evropian. Në këtë moment gjeopolitik, BE-ja është gati të afrojë më shumë partnerët me aspirata evropiane. Por për ta bërë këtë, kemi nevojë për partnerë që bashkëpunojnë dhe për një qeveri të qëndrueshme,”
deklaroi ambasadori Orav.
Ai vuri në dukje se për BE-në, zgjerimi nuk është më vetëm politikë e jashtme, por një strategji sigurie dhe stabiliteti në një kontinent që po përballet me sfida të reja.
“Zgjerimi është investim në mirëqenie dhe siguri. Fqinjët tuaj, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë në rrugën e duhur. Reforma të mëtejshme mund ta bëjnë anëtarësimin e tyre realitet ende brenda kësaj dekade,” shtoi diplomati evropian.
Sipas tij, Komisioni Evropian pritet së shpejti të publikojë gjetjet mbi ndikimin e valës së ardhshme të zgjerimit në politikat kyçe të Unionit. Por, ai paralajmëroi se “momentumi nga Brukseli nuk mjafton nëse Kosova nuk e shfrytëzon politikisht këtë mundësi”.
“Për fat të keq, ky ka qenë një vit i humbur për Kosovën. BE-ja është e gatshme të ndihmojë, por për të ecur përpara ne kemi nevojë për bashkëpunim, stabilitet dhe përgjegjësi politike,” përfundoi Orav.
Deklarata e ambasadorit vjen në një periudhë pas tensioneve të brendshme politike në Kosovë dhe në prag të raportit vjetor të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Zyrtarët evropianë kanë kërkuar vazhdimisht unitet institucional dhe konsensus për reformat, si parakusht për avancimin në procesin e integrimit.

