Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka mirëpritur në një vizitë zyrtare Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit akademik dhe rritjen e dimensionit ndërkombëtar të arsimit të lartë.
Vizita u zhvillua në Fakultetin Juridik, ku ambasadori mbajti një ligjëratë me temën “Politika e Turqisë në Ballkan në një botë në ndryshim dhe marrëdhëniet me Kosovën”. Në këtë ligjëratë ai trajtoi zhvillimet gjeopolitike në rajon, rolin strategjik të Turqisë dhe raportet dypalëshe me Kosovën.
Aktiviteti u hap nga Prodekani i Fakultetit Juridik, Mensur Morina, i cili theksoi rëndësinë e diplomacisë akademike në ndërtimin e bashkëpunimeve të qëndrueshme ndërkombëtare. Ndërkohë, Dekani Petrit Nimani dhe Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Edmond Beqiri vlerësuan këtë vizitë si një hap konkret drejt rritjes së cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor.
Gjatë diskutimit, studentët u përfshinë në një sesion interaktiv pyetje-përgjigje, ku diskutuan drejtpërdrejt me ambasadorin mbi çështje të politikës së jashtme, sigurisë rajonale dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës.
Ambasadori Angılı vlerësoi nivelin e organizimit dhe interesimin e studentëve, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai njoftoi gjithashtu për mundësinë e organizimit të vizitave studimore në institucionet e drejtësisë në Turqi dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta akademike.
Kjo vizitë konsiderohet një tjetër hap drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në Kosovë dhe krijimit të mundësive të reja për studentët në nivel rajonal dhe më gjerë.

