Policia e Kosovës ka ndaluar një pasagjere kosovare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi gjatë kontrollit të sigurisë është zbuluar se ajo mbante një armë zjarri në bagazh.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, arma është detektuar nga zyrtarët e X-Ray-it gjatë kontrollit të gjërave personale dhe bagazhit të udhëtares në zonën e nisjeve të aeroportit.
Policia ka reaguar menjëherë, duke shkuar në vendngjarje. Pas hapjes së bagazhit në prezencën e të dyshuarës, është konfirmuar prania e armës së zjarrit.
Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj pasagjeres është inicuar rast penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe origjinën e armës së zjarrit.