Aston Villa ka shkruar histori duke fituar për herë të parë Europa League, pasi mposhti bindshëm Freiburgun 3-0 në finalen e zhvilluar në Stamboll.
Klubi anglez rikthehet te lavdia evropiane pas 43 vitesh, duke fituar trofeun e parë kontinental që nga Superkupa e Evropës në vitin 1983, kur Villa ishte kampione në fuqi e Evropës.
Finalja pati pak dilema. Pas një pjese të parë të balancuar, anglezët goditën fuqishëm në fundin e saj. Youri Tielemans hapi serinë e golave në minutën e 41-të, pas një aksioni të ndërtuar mirë, ndërsa Emiliano Buendía shënoi një supergol në kohën shtesë të pjesës së parë (45+3’), duke e afruar trofeun drejt Birminghamit.
Në pjesën e dytë, Aston Villa ruajti kontrollin total të ndeshjes dhe vulosi triumfin me golin e tretë në minutën e 58-të, me Morgan Rogers, duke shuar çdo shpresë të Freiburgut, që luante finalen e parë evropiane në histori.
Në qendër të suksesit është Unai Emery, i cili vendos një tjetër gur kilometrik në karrierën e tij. Trajneri spanjoll fiton trofeun e pestë në Europa League — tre me Sevillan, një me Villarrealin dhe tani me Aston Villan — duke u bërë një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit evropian.
Me këtë sukses, Emery barazohet me emra legjendarë si Carlo Ancelotti, Giovanni Trapattoni dhe José Mourinho, të gjithë me nga pesë trofe evropianë.

