Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër lidhur me çështjen e projektit të gazit, duke kritikuar institucionet shtetërore për mungesë serioziteti ndaj paralajmërimeve nga partnerët ndërkombëtarë.
Hoti ka shprehur habinë për deklaratën e ushtrueses së detyrës së Presidentes, e cila sipas tij ka thënë se nuk e ka parë deklaratën e palës amerikane lidhur me këtë projekt.
“Si mund të deklarohet U.D. e Presidentes se nuk e ka parë deklaratën e palës amerikane lidhur me projektin e gazit?”, ka shkruar Hoti.
Ai paralajmëroi se pakënaqësia qytetare mund të shndërrohet shpejt në protesta masive.
“Kur të mbushen sheshet me protestues, e shihni sa serioze është çështja. Dhe sheshet do të mbushen së shpejti”, u shpreh ai.
Sipas Hotit, prej vitesh është krijuar një praktikë e gabuar nga qeverisja aktuale, ku paralajmërimet dhe shqetësimet e aleatëve ndërkombëtarë minimizohen ose injorohen.
“Për vite me radhë, kur paralajmërimet kanë ardhur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi parë një qasje për t’i minimizuar, për t’i sulmuar ose për t’i shpërfillur,” theksoi Hoti.
Në fund, ish-kryeministri vlerësoi se qasja ndaj projektit të gazit tregon qartë prioritetet e qeverisë aktuale, duke e cilësuar situatën si të papranueshme.
“Serioziteti ndaj një çështjeje jetike për të ardhmen e vendit tregon se çfarë prioritetesh ka kjo qeverisje. E papranueshme”, përfundoi Hoti.

