Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me nominimin e Glauk Konjufca për president po e çon me vetëdije vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas saj, kandidatura e Konjufcës është propozuar edhe pse dihet se nuk ka votat e nevojshme në Kuvend për t’u zgjedhur president.
“Albin Kurti me nominimin e Glauk Konjufcës për president duke e ditë që nuk i ka votat, me paramendim po e çon vendin prapë në zgjedhje”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka ngritur pyetjen se pse vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje, duke theksuar se sipas saj kjo do të sjellë vetëm humbje kohe dhe shpenzime të mëdha financiare.
“Shkojmë në zgjedhje, harxhojmë disa muaj kohë, dhjetëra miliona euro dhe prapë duhet të ulen partitë politike shqiptare e të merren vesh se kush do të bëhet president”, ka theksuar ajo.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar ashpër qasjen e Kurtit ndaj situatës politike, duke thënë se vendi rrezikon të mbetet me institucione jofunksionale dhe me ushtrues detyre në shumë poste kyçe.
“Ky nuk do stabilitet, nuk do zhvillim ekonomik dhe as avancim të shtetësisë së Kosovës. Ai dëshiron mjegull politike dhe institucione jofunksionale”, ka deklaruar Bajrami.

