Bashkimi Evropian po përpiqet të qartësojë dhe forcojë mekanizmat e saj të mbrojtjes së përbashkët, pa hyrë në konflikt me rolin tradicional të NATO si garantues kryesor i sigurisë në Evropë.
Gjatë samitit në Nikosia, liderët europianë diskutuan mbi Nenin 42.7 të traktateve të BE-së – një klauzolë që parashikon ndihmë të ndërsjellë në rast sulmi ndaj një shteti anëtar. Megjithatë, siç theksoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, problemi nuk është mungesa e rregullave… por mungesa e qartësisë në zbatim.
“Traktati është i qartë për detyrimin, por jo për mënyrën se si funksionon në praktikë,” u shpreh ajo, duke nënvizuar boshllëqet procedurale – kush vendos, si koordinohet reagimi dhe çfarë forme merr ndihma.
Nxitja për këtë debat erdhi veçanërisht nga Qipro, një nga vendet e pakta të BE-së që nuk është pjesë e NATO-s dhe që së fundmi është përballur me kërcënime të drejtpërdrejta sigurie. Ministri i Jashtëm Constantinos Kombos theksoi se kjo klauzolë nuk nënkupton automatikisht ndërhyrje ushtarake, por një gamë të gjerë ndihme – nga ajo diplomatike deri te mbështetja teknike apo humanitare.
Nga ana tjetër, vendet në vijën e parë përballë Rusi janë më të kujdesshme. Frika e tyre është e qartë: çdo forcim i rolit mbrojtës të BE-së mund të perceptohet si një alternativë ndaj NATO-s – diçka që mund të dobësojë unitetin transatlantik.
Edhe liderë si Donald Tusk kanë mbështetur idenë për ta bërë këtë nen më funksional, por pa e shndërruar BE-në në një strukturë paralele ushtarake.
Në thelb, Evropa po kërkon një ekuilibër delikat: të jetë më e fortë vetë… pa prishur aleancën që e ka mbrojtur për dekada. Dhe ky është një balancim që nuk bëhet me teori – por me vendime që peshojnë shumë.

