BE-ja ka pasur deficit tregtar të mallrave deri në 46 miliardë euro

Vlerësimi për eksportet e mallrave të Eurozonës për muajin shtator 2022 ishte 259.6 miliardë euro, një rritje prej 23.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar që ishte 210.1 miliardë euro.

Sipas Zyrës Evropiane të Statistikave, importet nga pjesa tjetër e botës ishin 294 miliardë euro, një rritje prej 44.5 për qind krahasuar me shtatorin 2021.

“Eurozona regjistroi një deficit prej 34.4 miliardë eurosh në tregtinë e mallrave me pjesën tjetër të botës, krahasuar me një suficit prej 6.7 miliardë euro. Tregtia brenda kësaj zone u rrit në 247.6 miliardë euro në muajin shtator 2022, me një rritje prej 27.3 për qind”, njofton Eurostat, përcjell Telegrafi.

Për periudhën janar-shtator, eksportet e mallrave të Eurozonës u rritën në 2 trilionë e 120 miliardë euro, një rritje prej 19.2 për qind dhe importet u rritën në 2 trilionë e 387 miliardë euro, një rritje prej 44.7 për qind.

Si rezultat, Eurozona regjistroi një deficit prej 266.6 miliardë eurosh, krahasuar me një suficit prej 129.2 miliardë eurosh në periudhën janar-shtator 2021. Tregtia brenda zonës rrit në 2 trilionë e 21 miliardë euro me 27.1 për qind.

“Vlerësimi i parë për eksportet e mallrave jashtë Bashkimit Evropian në muajin shtator 2022 ishte 232 miliardë euro me rritje prej 24 për qind që ishte 187.1 miliardë euro. Importet nga pjesa tjetër e botës arritën në 277.8 miliardë euro apo 48.2 për qind më shumë”, vijon njoftimi.

BE-ja regjistroi një deficit prej 45.8 miliardë eurosh në tregtinë e mallrave me pjesën tjetër të botës, krahasuar me minus 300 milionë euro që ishte një vit më parë. Tregtia brenda BE-së u rrit në 383 miliardë euro apo me një rritje prej 26.1 për qind.

Nga janari deri në shtator 2022, eksportet e mallrave jashtë BE-së u rritën në 1 trilion e 890 miliardë euro, një rritje prej 18.8 për qind dhe importet u rritën në 2 trilionë e 247.6 miliardë euro, pra një rritje prej 49.7 për qind

Po ashtu, BE regjistroi një deficit prej 358.1 miliardë euro, krahasuar me një suficit prej 88.4 miliardë euro në periudhën janar-shtator 2021. Tregtia brenda BE-së u rrit në 3 131.2 miliardë euro apo 25 për qind më shumë. /Telegrafi/

Next Post