Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar listën e kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke theksuar se ekipi përfaqëson një kombinim të përvojës dhe energjisë së re.
Përmes një deklarate publike, Hamza tha se lista përbëhet nga profesionistë të dëshmuar në jetën publike dhe në shërbim të qytetarëve, ndërsa vuri në pah se më shumë se gjysma e kandidatëve janë emra të rinj.
“Kjo është lista jonë. Profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve. Në këtë listë ka energji të re, por edhe përvojë. Njerëz që besojnë se Kosova meriton më shumë dhe më mirë”, ka deklaruar Hamza.
Ai bëri të ditur se mbi 50 për qind e listës janë prurje të reja, duke e cilësuar këtë si pjesë të angazhimit të PDK-së për t’u hapur rrugë kuadrove të reja politike.
“Mbi 50% e listës së kandidatëve janë prurje të reja, si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj”, shtoi ai.
Hamza paralajmëroi gjithashtu se në ditët në vijim PDK-ja do të shpalosë edhe programin e saj qeverisës, të cilin e quajti “më seriozin dhe më të përgjegjshmin” për vendin.
Duke iu drejtuar qytetarëve, ai bëri thirrje për mbështetje në zgjedhjet e ardhshme.
“Më 7 qershor, ju do ta keni edhe një mundësi për të vendosur për të ardhmen e vendit. Besoni në Kosovë!”, përfundoi Hamza.


