Bekim Haxhiu ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) deri në orën 24:00 të së enjtes, duke kërkuar gjithashtu mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë brenda 48 orëve.
Në një reagim publik në Facebook, Haxhiu ka propozuar që Këshilli Drejtues të caktojë një kryesi të përkohshme, me mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Kërkesa e tij vjen në një kohë kur po zhvillohet debat politik lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilin presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim.
Haxhiu: Është koha për përgjegjësi dhe vendime konkrete
Haxhiu ka theksuar se çështjet që lidhen me UÇK-në dhe fatin e ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë nuk duhet të trajtohen për interesa politike.
“Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd”, ka shkruar ai.
Sipas Haxhiut, këto çështje prekin themelet e lirisë, sakrificën e popullit dhe dinjitetin e shtetit të Kosovës.
Ai i ka përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kryesisë deri në mesnatë dhe mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda 48 orëve, duke kërkuar përgjegjësi dhe vendime konkrete nga udhëheqja e partisë.
Në fund të reagimit, Haxhiu ka shprehur mbështetjen e tij për UÇK-në dhe ish-krerët e saj.
“UÇK-ja është krenaria jonë. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, ka përfunduar ai.

