Komuniteti i biznesit në Kosovë pritet të mbajë sot një protestë paqësore në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike. Protesta do të zhvillohet nga ora 11:00 deri në 12:00 në Sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, dhe është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me përfaqësues të sektorit privat.
Pjesëmarrës në këtë protestë do të jenë përfaqësues të bizneseve dhe punonjës të tyre, të cilët do të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së këtij vendimi dhe të mundësojnë një periudhë tranzicioni për t’u përshtatur me ndryshimet në tregun energjetik.
Sipas organizatorëve, kalimi i menjëhershëm në tregun e lirë të energjisë mund të ketë pasoja të mëdha për sektorin privat, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë më të ekspozuara ndaj luhatjeve të çmimeve.
Oda Ekonomike e Kosovës apelon për një qasje më të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse, duke theksuar se dialogu ndërmjet qeverisë dhe komunitetit të biznesit është thelbësor për të siguruar një kalim të qëndrueshëm dhe të drejtë drejt liberalizimit të tregut të energjisë.