Bordi i Paqes për Gazën, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur rindërtimin e territorit palestinez, po përgatit kontratën e parë të ndërtimit, e cila parashikon ngritjen e një baze ushtarake për strehimin e rreth 150 trupave marokene.
Sipas raportimit të The Guardian, kontrata pritet t’i besohet kompanisë amerikane Arkel International, me seli në Luiziana, e njohur për realizimin e projekteve të mëparshme për qeverinë amerikane, përfshirë edhe në Irak. Megjithatë, marrëveshja ende nuk është finalizuar.
Një zyrtar i Bordit të Paqes ka konfirmuar për gazetën britanike se institucioni, së bashku me Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, është në fazën përfundimtare të përgatitjes së disa kontratave, por ka theksuar se asnjë prej tyre nuk është miratuar përfundimisht.
Sipas tij, një nga projektet ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila synon të mbështesë zbatimin e planit për sigurinë dhe administrimin e Gazës pas konfliktit.
Burimet e cituara nga The Guardian bëjnë të ditur se baza e planifikuar do të ketë përmasa rreth 100 × 120 metra dhe do të ndërtohet në një zonë të Gazës që aktualisht kontrollohet nga ushtria izraelite. Ajo do të shërbejë për akomodimin e një kontingjenti ushtarak maroken, i cili do të zëvendësohet periodikisht me rotacion nga një bazë në Izrael.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta britanike, kjo bazë përbën fazën e parë të një projekti më të gjerë, i cili në të ardhmen synon ndërtimin e një kompleksi ushtarak me kapacitet deri në 5.000 trupa të forcës ndërkombëtare. Në fazën fillestare, objekti do të përfshijë tenda, shtretër fushorë, tualete kimike dhe pika sanitare.
Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Hamasi kishte pranuar të çarmatosej, ndërsa autoritetet izraelite kanë shprehur rezerva ndaj planit dhe kanë vazhduar operacionet ushtarake në Rripin e Gazës.
Në muajin janar, gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes, Jared Kushner prezantoi një projekt ambicioz për krijimin e një “Gaze të Re”, me qytete moderne bregdetare dhe infrastrukturë të re urbane. Megjithatë, sipas The Guardian, ai plan është reduktuar ndjeshëm dhe aktualisht fokusohet në realizimin e projekteve pilot në pjesën jugore të Gazës.

