Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në sinjalin GPS të avionit të Forcave Ajrore Mbretërore që e transportonte atë javën e kaluar, duke e cilësuar incidentin si një veprim “të pamatur”.
Sipas raportimit të gazetës britanike The Times, sinjali satelitor i avionit qeveritar u ndërpre të enjten pranë kufirit rus, ndërsa Healey po kthehej nga Estonia, ku kishte zhvilluar vizita dhe takime me ushtarët britanikë të dislokuar në vend.
Ministria britanike e Mbrojtjes konfirmoi incidentin për AFP, duke deklaruar se Forcat Ajrore Mbretërore janë të përgatitura për situata të tilla.
“Kjo është një ndërhyrje e pamatur ruse, por Forcat Ajrore Mbretërore janë të trajnuara dhe të pajisura për t’u përballur me veprime të tilla”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Megjithatë, autoritetet britanike nuk kanë specifikuar nëse avioni ishte objektiv i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes.
Sipas raportimeve, gjatë fluturimit tre-orësh telefonat dhe pajisjet elektronike në bord humbën lidhjen me internetin, ndërsa pilotët u detyruan të përdornin sisteme alternative navigimi për të përcaktuar pozicionin e avionit tip Dassault Falcon 900LX.
Ky incident vjen pak ditë pasi Ministria britanike e Mbrojtjes raportoi se një avion zbulues i Forcave Ajrore Mbretërore ishte përballur me një ndërhyrje të rrezikshme nga avionë luftarakë rusë mbi Detin e Zi.
Healey e kishte dënuar edhe atë rast, duke e cilësuar sjelljen e pilotëve rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare si “të rrezikshme dhe të papranueshme”, ndërsa kishte theksuar se kjo nuk do të ndikojë në angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj NATO-s dhe mbështetjes për Ukrainën.
Sipas zyrtarëve britanikë, incidenti mbi Detin e Zi konsiderohet më seriozi që nga viti 2022, kur një avion rus kishte lëshuar një raketë pranë një avioni britanik në të njëjtën zonë.
Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbetet një nga mbështetëset kryesore të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.

