Vlora Çitaku, ka reaguar pas zbulimit të një prej profileve të dyshuara si të rreme, duke deklaruar se për vite me radhë janë përdorur platforma të tilla për përhapje të urrejtjes, shpifjeve dhe përçarjeve mes qytetarëve.
Përmes një reagimi publik, Çitaku tha se lufta hibride në hapësirën digjitale ka sjellë pasoja të mëdha politike dhe shoqërore, duke ndikuar në reputacionin e individëve dhe besimin e qytetarëve në institucione.
“Lufta hibride në botën virtuale ka lënë dhe vazhdon të lërë pasoja të mëdha, jo vetëm politike, por edhe shoqërore. Përmbysen vlerat, rrënohen reputacione, sulmohen individë dhe minohet besimi në institucione”, shkroi Çitaku.
Ajo theksoi se Kosova, si një shtet i ri, është veçanërisht e ekspozuar ndaj manipulimeve digjitale, duke sjellë si shembull rastin e Cambridge Analytica dhe ndikimin që pati në debatin politik rreth Brexit-it në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas saj, dyshimet se rrjete të tilla mund të jenë toleruar, nxitur ose përdorur për qëllime politike janë çështje serioze që kërkojnë një hetim të plotë institucional.
“Prokuroria duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Jo vetëm për rastin e ‘Lule Gjelit’, por për çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik”, deklaroi ajo.
Çitaku kërkoi që hetimet të mos kufizohen vetëm te administratorët e profileve, por të shtrihen edhe te personat apo grupet që mund të kenë organizuar, koordinuar, financuar ose udhëhequr këto aktivitete.
“Demokracia nuk mbrohet vetëm në kutinë e votimit. Ajo mbrohet edhe duke mos lejuar që gënjeshtra, anonimati dhe propaganda e organizuar të zëvendësojnë të vërtetën dhe debatin e lirë”, përfundoi Çitaku.

