Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë mbërritur në Zvicër për të nisur bisedimet mbi zbatimin e marrëveshjes së përkohshme të paqes mes Uashingtonit dhe Teheranit, në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme.
Sipas Ministrisë së Jashtme zvicerane, palët po drejtohen drejt Bürgenstock në kantonin Nidwalden, ku pritet të zhvillohen negociatat teknike. Në proces janë përfshirë edhe përfaqësues nga Pakistani, i cili ka luajtur rol ndërmjetësues mes palëve.
Në bisedime pritet të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili ka deklaruar se qëllimi kryesor është progresi në dy çështje kyçe: programi bërthamor iranian dhe armëpushimi në Libanin jugor.
“Shpresojmë të bëjmë përparim në çështjen bërthamore dhe në çështjen e armëpushimit në Liban,” deklaroi Vance para nisjes nga Maryland.
Takimi fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej një ditë më herët, por u shty për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
Tensione në sfondin e negociatave
Bisedimet zhvillohen ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë. Ushtria iraniane kishte njoftuar më herët mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke e lidhur vendimin me sulmet në Libanin jugor dhe shkeljen e armëpushimeve nga palët e përfshira në konflikt.
Megjithatë, Komanda Qendrore e SHBA-së deklaroi se rruga strategjike detare mbetet e hapur dhe funksionale, me qindra anije tregtare që vazhdojnë tranzitin normal.
Në Liban, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vijuar pavarësisht marrëveshjeve të brishta të armëpushimit. Sulme të reja ajrore dhe raketore kanë shkaktuar viktima dhe kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Izraeli ka justifikuar sulmet si përgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Hezbollahu, ndërsa tensionet politike në rajon mbeten të larta edhe në prag të negociatave në Zvicër.
Bisedimet në Bürgenstock shihen si një përpjekje e rëndësishme diplomatike për të shmangur përshkallëzimin dhe për të rikthyer stabilitetin në rajon.

