Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme telefonash të rinj të padeklaruar gjatë një kontrolli në një subjekt ekonomik në Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në terren, zyrtarët doganorë kanë gjetur në bodrumin e objektit një kasafortë të mbuluar me pako, e cila pas hapjes ka rezultuar të përmbajë pajisje elektronike të reja, për të cilat pala nuk ka paraqitur dokumentacion për origjinën e mallit.
Sasia e pajisjeve të sekuestruara është si vijon:
-
19 telefona Samsung Galaxy A26 5G
-
21 telefona Samsung Galaxy A16
-
1 tablet Samsung Galaxy Tab A9+ 5G
Në total janë sekuestruar 41 pajisje elektronike të reja, ndërsa procedurat ligjore janë zbatuar në tërësi dhe dokumentacioni përkatës është plotësuar.
Dogana e Kosovës njofton se do të vazhdojë me procedurat administrative dhe hetimore për rastin, duke theksuar se kontrolli i tregtisë ilegale dhe mbrojtja e tregut të brendshëm nga mallrat e padeklaruara mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit.