Dogana e Kosovës ka konfiskuar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare, të dyshuara se janë kontrabanduar, gjatë një kontrolli në disa hapësira depoje në Prizren.
Sipas njoftimit të Doganës, kontrolli është zhvilluar nga njësitet e Sektorit Anti-Kontrabandë, pas informatave të pranuara nga terreni.
Gjatë kontrollit janë gjetur:
- 791 kilogramë duhan i grirë i paketuar;
- 85 kilogramë duhan i grirë i papaketuar;
- 21 mijë cigare “Marble” pa banderolë;
- 97 mijë cigare me banderolë të Bosnjës dhe Hercegovinës, por pa banderolë të Republikës së Kosovës.
Në total, autoritetet kanë ndaluar 876 kilogramë duhan dhe 118 mijë cigare.
Një person është arrestuar
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Doganës së Kosovës dhe prokurori kujdestar.
Sipas Doganës, personi përgjegjës për hapësirat ku është gjetur malli është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Malli i konfiskuar është dërguar për ruajtje nën mbikëqyrje doganore.
Rasti po trajtohet më tej në bashkëpunim ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Prokurorisë kompetente.

