Mërgim Lushtaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila shpalli aktgjykim lirues për babanë e tij, Sami Lushtakun, dhe të akuzuarit e tjerë në rastin “Drenica 1”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku e ka cilësuar vendimin si “drejtësi të vonuar”, duke theksuar se procesi gjyqësor ka zgjatur më shumë se 13 vjet.
“DREJTËSI E VONUAR! Sot, Sami Lushtaku u lirua nga të gjitha pikat e aktakuzës në rastin ‘Drenica 1’, pas një procesi që zgjati mbi 13 vite”, ka shkruar ai.
Më tej, Lushtaku ka uruar që edhe ish-pjesëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procese gjyqësore apo ndodhen në paraburgim, të lirohen sa më parë.
“Uroj që të gjithë çlirimtarët, të cilët po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe në procese gjyqësore të tejzgjatura, të lirohen sa më parë”, ka përfunduar ai.

