Kosova të enjten pritet të përjetojë një ditë me moti të ndryshueshëm, ku vranësirat lokale do të alternohen me intervale kohore me diell. Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë ditës temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme, për shkak të rrezeve diellore dhe rrymimeve të fuqishme ajrore nga jugu.
Në orët e pasdites, era do të fryjë kryesisht nga drejtimi jugperëndimor, ndërsa në orët e hershme të mëngjesit të së premtes pritet kalimi i një sistemi vranësirash, i cili mund të shoqërohet me rrebeshe lokale shiu, vetëtima dhe bubullima. Temperaturat maksimale do të arrijnë mbi 20 gradë Celsius në shumicën e zonave të vendit.
Ndërkohë, në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, e enjtja do të karakterizohet nga vranësira të herëpashershme dhe periudha me diell, të shoqëruara me rryma të ngrohta ajrore që do të mbajnë motin kryesisht të butë dhe pranveror.
Sinoptikët theksojnë se kjo rritje e temperaturave është pjesë e një vale të ngrohtë afatshkurtër, e cila pritet të zgjatë deri në fundjavë.