Java e re në Kosovë do të nisë me mot të ngrohtë dhe jo-stabil. Gjatë paradites priten intervale me diell dhe vranësira lokale, ndërsa në disa zona mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Pasditja pritet të sjellë destabilizim të fuqishëm të atmosferës, me zhvillime intensive konvektive, veçanërisht në pjesën veriore, verilindore dhe qendrore të vendit. Në këto rajone priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullima, të cilat vende-vende mund të jenë më intensive dhe të shoqërohen me erëra të forta, bubullima të fuqishme dhe breshër.
Në jug të vendit priten më pak zhvillime atmosferike dhe mundësitë për reshje do të jenë dukshëm më të vogla.
Temperaturat minimale do të lëvizin rreth 12°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 29°C, duke e bërë ditën të ngrohtë përpara depërtimit të masave më të paqëndrueshme ajrore gjatë orëve të pasdites.

