E marta në Kosovë pritet të sjellë ndryshim të motit, si pasojë e depërtimit të një fronti të ftohtë ajror, i cili pritet të jetë i dobësuar.
Paradite do të mbajë mot i ngrohtë me diell dhe vranësira lokale, ndërsa nga mesdita ose gjatë pasdites pritet shtim i vranësirave dhe zhvillim i tyre, duke kushtëzuar reshje lokale shiu dhe rrebeshe të shkurtra, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Reshjet nuk pritet të jenë të mëdha dhe do të kenë karakter kryesisht lokal, ndërsa në disa zona mund të mos ketë fare reshje.
Me kalimin e frontit, temperaturat do të shënojnë ulje, duke sjellë të paktën përkohësisht një freskim të shumëpritur pas ditëve të nxehta.
Temperatura minimale pritet të zbresë deri në 17°C, ndërsa maksimalja do të arrijë rreth 30°C.

