Të martën në Kosovë pritet ndryshim i motit, me shtim të konsiderueshëm të vranësirave dhe reshje lokale shiu. Në viset kodrinore-malore parashihen edhe reshje të herëpashershme bore.
Gjatë ditës nuk përjashtohen intervale të shkurtra me diell, por në orët e pasdites dhe mbrëmjes reshjet pritet të shtohen dhe të jenë më të theksuara. Temperaturat do të fillojnë të shënojnë ulje.
Minimalja pritet të zbresë deri në 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalja do të arrijë rreth 14 deri në 15 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi pritet mot kryesisht i vranët dhe me reshje lokale shiu. Në zonat kodrinore-malore do të fillojnë reshjet e borës, ndërsa më shumë reshje priten në orët e mbrëmjes, sidomos në disa pjesë të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

