Të premten në Kosovë do të mbajë mot mjaft i ngrohtë për këtë periudhë të vitit, por me destabilizim të theksuar të atmosferës. Erërat e fuqishme jugore pritet të intensifikohen edhe më shumë .
Gjatë ditës do të ketë vranësira dhe intervale me diell. Në perëndim, veriperëndim dhe veri të vendit priten rrebeshe të herëpashershme shiu, ndërsa në lindje dhe juglindje do të ketë më shumë periudha me diell dhe mot të ngrohtë, por edhe erëra të fuqishme nga jugu dhe juglindja.
Erërat më të forta priten në viset malore të perëndimit dhe veriperëndimit, si dhe në veri e verilindje të vendit. Në zonat e tjera do të fryjnë erëra të fuqishme, me intensitet që do të ndryshojë nga rajoni në rajon.
Në mbrëmje dhe gjatë natës, reshjet e shiut pritet të përfshijnë pjesën më të madhe të Kosovës. Lokalisht mund të ketë rrebeshe intensive, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Temperaturat minimale do të lëvizin rreth 11°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë deri në 19°C.

