Klan Kosova ka publikuar Exit Poll-in e realizuar nga kompania PIPOS pas mbylljes së procesit të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Sipas projeksioneve të para, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti renditet si forca e parë politike në vend me 42.3 për qind të votave.
Në vendin e dytë pozicionohet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila sipas Exit Poll-it ka siguruar 21.6 për qind të mbështetjes qytetare.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) rezulton të ketë fituar mbi 17 për qind të votave, duke u renditur si subjekti i tretë politik në këto zgjedhje.
Sipas matjeve të publikuara nga PIPOS, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur të kalojë pragun zgjedhor, duke siguruar 6.8 për qind të votave.
Rezultatet e Exit Poll-it paraqesin një fotografi paraprake të vullnetit të qytetarëve, ndërsa rezultatet zyrtare pritet të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas numërimit të votave në të gjitha vendvotimet.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës u mbajtën të dielën, më 7 qershor, me pjesëmarrjen e mbi 1.9 milion qytetarëve me të drejtë vote.

