Një studim i gjerë ndërkombëtar ka identifikuar faktorë të rinj gjenetikë që lidhen me fibromialgjinë, një sëmundje kronike që shkakton dhimbje të përhapura në trup, lodhje të vazhdueshme dhe probleme me kujtesën dhe përqendrimin.
Studiuesit analizuan ADN-në e më shumë se 2.5 milionë personave nga Britania e Madhe, SHBA-ja, Finlanda, Danimarka, Islanda dhe Estonia, përfshirë rreth 55 mijë persona të diagnostikuar me fibromialgji.
Rezultatet e studimit identifikuan 26 variante gjenetike që lidhen me rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje.
Profesoresha Frances Williams nga King’s College London ka thënë se gjetjet tregojnë se fibromialgjia lidhet me mënyrën se si truri përpunon dhimbjen.
“Duke studiuar ADN-në e më shumë se dy milionë njerëzve, mund të themi me besim se këto rezultate janë të sakta dhe tregojnë se fibromialgjia është një çrregullim i mënyrës se si truri përpunon dhimbjen”, është shprehur ajo.
Ekspertët kanë theksuar se për vite me radhë shumë pacientë me fibromialgji janë përballur me mosbesim, pasi dhimbjet e tyre shpesh janë konsideruar vetëm si pasojë e faktorëve psikologjikë.
Sipas doktorit Michael Wainberg nga University of Toronto, rezultatet e reja konfirmojnë se sëmundja ka një bazë të qartë biologjike.
Studimi ka gjetur gjithashtu një lidhje mes fibromialgjisë dhe gjenit HTT, mutacionet e të cilit lidhen me sëmundjen e Huntingtonit. Studiuesit vlerësojnë se ky zbulim mund të hapë mundësi për përdorimin e terapive që aktualisht po hulumtohen për Huntingtonin edhe në trajtimin e fibromialgjisë.
Po ashtu, hulumtimi ka treguar se fibromialgjia ndan faktorë të përbashkët gjenetikë me disa gjendje të tjera, përfshirë dhimbjen kronike të mesit dhe sindromën e zorrës së irrituar, ndërsa shpesh shoqërohet edhe me ankth dhe depresion.
Shkencëtarët theksojnë se nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë ndërveprimin mes gjeneve, mjedisit dhe faktorëve të jetës, me qëllim zhvillimin e trajtimeve më efektive për personat që vuajnë nga kjo sëmundje.

