Finalja e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet të dielën më 19 korrik në orën 21:00, pritet të jetë ngjarja sportive më e shtrenjtë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Përballja që do të vendosë kampionin e ri të botës, ku në qendër të vëmendjes janë përballja mes Lionel Messit dhe yllit të ri spanjoll Lamine Yamal, ka thyer rekordet për çmimet e biletave edhe para fillimit të saj.
Sipas të dhënave të tregut të rishitjes, çmimi mesatar i një bilete për finalen ka arritur në 11 mijë e 327 dollarë, ndërsa bileta më e lirë shitet për rreth 7 mijë e 451 dollarë.
Ndërkohë, vendet më të shtrenjta në stadium kanë arritur shifra rekord. Dy bileta në rreshtin 21 të sektorit 115A janë nxjerrë në shitje për një vlerë totale prej 56 mijë e 958 dollarësh, ose rreth 28 mijë e 479 dollarë për një biletë.
Kjo finale ka tejkaluar edhe rekordet e vendosura më parë nga Super Bowl, ngjarja më e madhe sportive amerikane. Rekordi i mëparshëm për çmimin mesatar të biletave ishte vendosur në finalen e Super Bowl 2024 mes San Francisco 49ers dhe Kansas City Chiefs, ku çmimi mesatar ishte 9 mijë e 411 dollarë.
Edhe rekordi për biletën më të lirë të një finaleje sportive në SHBA ishte mbajtur nga Super Bowl i vitit 2021 mes Tampa Bay Buccaneers dhe Kansas City Chiefs, me një çmim prej 7 mijë e 313 dollarësh.
Finalja e Kupës së Botës në New Jersey pritet të tërheqë vëmendjen globale, jo vetëm për duelin sportiv mes dy prej kombëtareve më të mëdha të futbollit, por edhe për interesimin rekord financiar që ka krijuar rreth saj.

