Francë dhe Spanjë do të përballen në një nga sfidat më të mëdha të Kupës së Botës 2026, në një gjysmëfinale që pritet të jetë rekord jo vetëm për nivelin sportiv, por edhe për vlerën ekonomike të futbollistëve që do të zbresin në fushë.
Dueli mes dy gjigantëve të futbollit evropian zhvillohet të mërkurën në orën 21:00, me dy kombëtaret që së bashku kanë një vlerë të jashtëzakonshme tregu prej rreth 2.74 miliardë eurosh.
Sipas vlerësimeve të merkatos, Franca kryeson me një skuadër të vlerësuar në rreth 1.52 miliardë euro, ndërsa Spanja ka një vlerë totale prej rreth 1.22 miliardë eurosh.
Në këtë supersfidë do të jenë të pranishëm disa nga futbollistët më të shtrenjtë të botës. Në krye qëndron ylli spanjoll Lamine Yamal, i vlerësuar në 200 milionë euro, ndërsa pas tij renditet francezi Kylian Mbappé me një vlerë prej 180 milionë eurosh.
Dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm të kësaj gjysmëfinaleje janë Michael Olise dhe Pedri, të cilët vlerësohen me nga 150 milionë euro secili. Në këtë listë është edhe Erling Haaland, me të njëjtën vlerë si Yamal, por sulmuesi norvegjez nuk është pjesë e këtij dueli.
Francë me avantazh në mbrojtje dhe sulm, Spanja në mesfushë
Të dyja kombëtaret kanë në përbërje shtatë futbollistë me vlerë mbi 100 milionë euro, ndërsa 22 lojtarë të tjerë kalojnë ose arrijnë vlerën prej 50 milionë eurosh.
Analiza sipas reparteve tregon dallime interesante mes dy skuadrave:
- Portierët: avantazh për Spanjën, me një vlerë totale prej 97 milionë eurosh, kundrejt 57 milionëve të Francës.
- Mbrojtja: dominon Franca me rreth 404 milionë euro, ndërsa Spanja vlerësohet me 288 milionë euro.
- Mesfusha: Spanja ka epërsi me rreth 420 milionë euro, përballë 312 milionëve të Francës.
- Sulmi: diferenca më e madhe është në favor të Francës, me repartin ofensiv të vlerësuar në rreth 750 milionë euro.
Përballja pritet të jetë një duel mes filozofive të ndryshme: Spanja me lojën e bazuar në kontrollin e topit dhe talentin e brezit të ri, ndërsa Franca me fuqinë fizike, shpejtësinë dhe potencialin e jashtëzakonshëm ofensiv.
Gjysmëfinalja do të gjykohet nga një arbitër nga El Salvadori, i cili ka një karrierë të gjatë ndërkombëtare dhe ka dhënë mbi 1.400 kartonë të verdhë dhe 86 kartonë të kuq gjatë karrierës së tij.

