Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar një sërë ushtrimesh fushore në kuadër të mirëmbajtjes dhe avancimit të kapaciteteve operacionale të saj.
Sipas njoftimit zyrtar, kompanitë e Regjimentit të tretë të Forcave Tokësore kanë zhvilluar me sukses ushtrime në nivel skuadre dhe togu, me qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përgatitjes profesionale të personelit.
Ushtrimet e koduara “Kilo Mike”, “Stuhia e Marsit 2026” dhe “Sierra 26” janë fokusuar në forcimin e kapaciteteve në operacionet e mbështetjes logjistike, zhvillimin e aftësive taktike individuale dhe testimin e qëndrueshmërisë fizike të ushtarakëve.
Gjithashtu, gjatë këtyre aktiviteteve është punuar në përmirësimin e koordinimit ndërmjet pjesëtarëve, operimin në kushte të vështira dhe reagimin ndaj kërcënimeve në terrene kodrinoro-malor.
Nga FSK vlerësohet se këto ushtrime pasqyrojnë përkushtimin e vazhdueshëm të pjesëtarëve të saj për arritjen e standardeve të larta profesionale dhe operacionale, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të përgjithshme të njësive për përmbushjen e misioneve.

