Në samitin e G7 në Evian të Francës, presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar angazhim ndërkombëtar në formë misioni detar në Ngushticën e Hormuzit, pas zhvillimeve të fundit mes SHBA-së dhe Iranit.
Macron e ka cilësuar marrëveshjen me Iranin si një hap “të rëndësishëm” për paqen globale, duke theksuar se Franca dhe aleatët janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë e tyre në garantimin e sigurisë së kalimeve detare strategjike.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka minimizuar nevojën për një mision të gjerë ndërkombëtar, duke deklaruar se SHBA nuk ka nevojë për “shumë ndihmë” në këtë fazë.
“Nuk besoj se do të kemi nevojë për shumë ndihmë”, është shprehur Trump, duke shtuar se mund të mjaftojnë vetëm disa anije nga vende aleate për të mbështetur situatën në terren.
Debati mes liderëve është zhvilluar në sfondin e tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjes së fundit SHBA–Iran, e cila ka sjellë ulje të përkohshme të çmimeve të naftës dhe hapje të diskutimeve për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Trump, marrëveshja e arritur garanton hapjen e kalimit detar dhe stabilizimin e situatës, ndërsa detaje të mëtejshme pritet të publikohen në ditët në vijim.
Në samit është diskutuar gjithashtu edhe për situatën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, me fokus në koordinimin e mundshëm ndërkombëtar, megjithëse qëndrimet mes SHBA-së dhe vendeve evropiane mbeten të ndryshme sa i përket nivelit të angazhimit ushtarak dhe detar.

