Burimet e redaksise kanë bërë të ditur se Gani Geci është ndaluar për 48 orë, pasi është shoqëruar në polici dhe është intervistuar nga hetuesit e Krimeve të Rënda.
Geci është shoqëruar në polici në orët e mbrëmjes, ndërsa ndalimi i tij vjen pas pretendimeve të gazetarit Lirim Mehmetaj se është kërcënuar nga anëtarë të familjes Geci.
Mehmetaj ka rrëfyer, në emisionin “Debat Plus”, se anëtarë të familjes Geci i kishin kërkuar të fshinte ose të ndryshonte një postim kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Gazetari ka deklaruar se kishte refuzuar ta ndryshonte ose ta fshinte postimin dhe se, pas këtij refuzimi, ishte kërcënuar. Për këtë arsye, ai ka vendosur ta denoncojë rastin në Policinë e Kosovës.
“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar Mehmetaj.
Deri në publikimin e këtij lajmi, në informacionin e raportuar nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me rastin.

