NATO po përballet me një fazë të re të rishpërndarjes së përgjegjësive ushtarake, ndërsa liderët evropianë po diskutojnë rritjen e rolit të tyre në sigurinë e kontinentit mes sinjaleve për një angazhim më të kufizuar amerikan.
Johann Wadephul deklaroi se Gjermania po merr një rol më të madh brenda aleancës dhe se balanca e detyrimeve duhet të përshtatet me kapacitetet ekonomike dhe ushtarake të vendeve evropiane.
“Gjermania po merr përsipër përgjegjësitë e saj të lidershipit”, ka deklaruar ai para takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Helsingborg.
Deklaratat vijnë pasi Pentagoni njoftoi pezullimin e dislokimit të brigadës amerikane “Black Jack”, e përbërë nga rreth 4 mijë ushtarë, e cila ishte planifikuar të vendosej në krahun lindor të NATO-s, kryesisht në Polonia.
Megjithatë, zyrtarë të lartë ushtarakë evropianë kanë kërkuar që situata të mos shihet si alarmante. Michael Vetter theksoi se ky veprim ishte i parashikuar dhe se SHBA mbeten një shtyllë qendrore e mbrojtjes evropiane.
“Nuk është lajm i mirë, por nuk është arsye për alarm. Prania amerikane në Evropë mbetet e rëndësishme”, deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë, Karel Rehka tha se forcat evropiane janë në gjendje të kompensojnë mungesën e një brigade amerikane, duke theksuar se planet e NATO-s parashikojnë një numër shumë më të madh forcash në dispozicion.
Ndërkohë, situata mori një kthesë tjetër pas një deklarate të Donald Trump, i cili njoftoi se SHBA do të dërgojnë edhe 5 mijë trupa shtesë në Poloni, duke e lidhur vendimin me marrëdhëniet me presidentin aktual polak Karol Nawrocki.
Lëvizjet e fundit tregojnë se, megjithëse Evropa po përgatitet për një rol më të madh në mbrojtje, SHBA vazhdojnë të mbeten faktor kyç në arkitekturën e sigurisë së NATO-s.

