Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka bërë të ditur qëndrimin e partisë së tij lidhur me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim me liderët e partive politike.
Në një intervistë në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Gjini tha se Aleanca nuk do të marrë pjesë në takime të mbyllura dhe bisedime prapa dyerve të zyrave. Sipas tij, çdo diskutim politik duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, me praninë e mediave dhe, sipas kërkesës së tij, me transmetim të drejtpërdrejtë.
“Nuk takohem me të vetëm në zyrë e me dalë me rrejtë si të kryhet takimi. Aleanca i ka tregu çka po dojmë na”, deklaroi Gjini.
Kreu i AAK-së argumentoi se takimet e zhvilluara pa praninë e publikut mund të krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme pas përfundimit të tyre. Për këtë arsye, ai kërkoi që çdo takim ndërmjet liderëve politikë të jetë i hapur dhe transparent, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të dëgjojnë drejtpërdrejt qëndrimet e palëve.
Gjini la të kuptohet se Aleanca tashmë i ka bërë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj politike dhe se nuk sheh arsye për zhvillimin e bisedimeve të fshehta në zyrat e partive apo institucioneve.
Në fund, kryetari i AAK-së përdori edhe një dozë ironie lidhur me ftesat e mundshme të Kurtit për takime të tjera. Ai tha se, nëse kryeministri në detyrë do ta ftojë sërish për takim, mund të delegojë nënkryetaren e partisë, Time Kadrijaj.
“Nëse kërkon edhe një herë takim me mu, ka me i thanë e delegoj Time Kadrijajn, është nënkryetare e Aleancës, edhe ja jap edhe një tabellë ve”, tha Gjini me humor.
Deklarata e Gjinit vjen në një kohë kur liderët politikë në Kosovë po përballen me presionin për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale dhe për të mundësuar konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Burimi: Kanal 10.

