Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitoi të shtunën, më 22 gusht 2026, fshatin Strezoc në komunën e Preshevës, ku u takua dhe bisedoi me banorët e këtij vendbanimi.
Vizita u zhvillua në kuadër të qëndrimit të Vuçiqit në jug të Serbisë, ndërsa sipas raportimeve nga mediat serbe, kjo ishte hera e parë që një president i Serbisë vizitonte Strezocin.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, një grua e nacionalitetit serb, banore e Strezocit, iu ankua presidentit Vuçiq për, siç pretendoi ajo, problemet që hasen në komunikimin me institucionet lokale.
Në pjesën e diskutimit që ka tërhequr vëmendje, ajo foli për shqiptarët dhe njohjen e gjuhës serbe, duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe fyese ndaj tyre.
Sipas raportimeve të publikuara pas takimit, gruaja u ankua se zyrtarët në komunën e Preshevës nuk e dinë ose nuk e përdorin gjuhën serbe. Vuçiqi iu përgjigj se ata e dinë serbishten, por nuk duan ta flasin.
Në një pjesë tjetër të bisedës, sipas përmbajtjes së videos dhe raportimeve mediatike, gruaja përdori edhe shprehjen se shqiptarët që nuk dinë të flasin serbisht duhet të “rrihen me shuplaka”.
Deklarata ka ngjallur reagime për shkak të gjuhës së përdorur ndaj komunitetit shqiptar në komunën e Preshevës.

