Deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është “plotësisht kushtetues dhe i ligjshëm”.
I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Gruda tha se Kuvendi i Kosovës e ka konsumuar të drejtën e tij për zgjedhjen e presidentit, pasi nuk arriti ta bëjë këtë brenda afatit kushtetues.
Sipas tij, Kushtetuta përcakton qartë se presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, afat që, sipas tij, tashmë ka kaluar.
“Për mua dhe për PDK-në dekreti është plotësisht kushtetues dhe i ligjshëm. Kuvendi e ka konsumuar të drejtën e vet për ta zgjedhur presidentin. Afati 30-ditor ka kaluar dje, Kuvendi nuk e ka përdorur atë të drejtë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Çdo interpretim tjetër është arbitraritet dhe lexim i qëllimshëm i gabuar i Kushtetutës për nevojat politike të Vetëvendosjes”, ka thënë ai.
Gruda shtoi se Partia Demokratike e Kosovës do t’i dorëzojë edhe komentet e saj në Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me këtë çështje.
Ai po ashtu tha se pret që data e zgjedhjeve të caktohet në fund të javës së ardhshme.
“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë 45 ditë nga dita e nesërme, që i bie afër fundit të prillit. Mendoj që në fund të javës së ardhshme do të caktohen zgjedhjet. Ne do t’i dorëzojmë komentet tona në Gjykatën Kushtetuese, sepse konsiderojmë se dekreti është plotësisht kushtetues”, u shpreh Gruda.
Ai kritikoi edhe qasjen e pushtetit, duke thënë se nuk duhet që “i gjithë pushteti të përqendrohet në një person”, duke përmendur edhe emrin e Glauk Konjufca në debatet për postet shtetërore.

