Bedri Hamza ka deklaruar se fokusi i angazhimit të tij politik mbetet ndryshimi i gjendjes aktuale dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, duke theksuar se Kosova ka nevojë për më shumë zhvillim dhe stabilitet.
Gjatë një takimi me qytetarë në Suharekë, ku u prezantua edhe ekipi i kandidatëve për deputetë nga kjo komunë, Hamza tha se energjia dhe mbështetja që po merr janë të lidhura me, siç u shpreh ai, një mision për t’i dhënë fund krizave dhe për ta çuar vendin drejt një drejtimi të ri.
“Energjia është pozitive, sepse misioni ynë është fisnik: t’i japim fund krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën”, ka deklaruar ai.
Hamza shtoi se qytetarët dhe familjet në Kosovë meritojnë më shumë mirëqenie, shpresë dhe kushte më të mira jetese, duke kritikuar atë që e quajti qasje të bazuar në propagandë dhe kriza të vazhdueshme.
Sipas tij, prioritet duhet të jetë përmirësimi i standardit të jetesës dhe ofrimi i rezultateve konkrete për qytetarët.

