Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka përsëritur qëndrimin se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit, nëse paraprakisht miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, Hamza tha se PDK-ja është e gatshme të diskutojë dhe të gjejë një zgjidhje për presidentin menjëherë pas miratimit të ndryshimeve ligjore.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme që të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë e të gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.
Ai tha se diskutimet mes palëve tashmë kanë përfunduar, ndërsa sipas tij, ende ka disa ditë në dispozicion për të arritur një marrëveshje.
“Bisedat i kemi përfunduar. Janë edhe disa ditë ku kemi mundësi të arrijmë marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja, por kjo është kërkesa jonë dhe nuk ka të bëjë me nevojën për PDK-në. Ligji kalon nevojat përtej PDK-së dhe ka të bëjë me një çështje tjetër”, u shpreh ai.
Deklarata e Hamzës vjen në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe ndryshimet e propozuara në legjislacionin që lidhet me Dhomat e Specializuara.

