Haxhi Avdyli ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve dhe sulmeve që, sipas tij, po i bëhen nga militantë të Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se janë prekur kufijtë moralë dhe familjarë.
Përmes një reagimi të gjatë publik, Avdyli tha se prej ditësh ka marrë mesazhe fyese dhe kërcënuese, ku sipas tij është sulmuar edhe familja e tij dhe babai i ndjerë.
“Më keni prek në plagën që nuk ua lejoj. Më keni prek në BACËN DAN”, shkroi ai.
Avdyli deklaroi se babai i tij, të cilin e quajti “hero të jetës së tij”, po ofendohet padrejtësisht nga persona që ai i lidhi me mbështetës të kryeministrit Albin Kurti.
Në reagimin e tij, deputeti rikujtoi mbështetjen që kishte dhënë për Vetëvendosjen në të kaluarën, duke përmendur ndihmën në zgjedhjet lokale në Prizren më 2017, mosvotimin për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 dhe mbështetjen në disa procese zgjedhore.
Ai tha se pavarësisht angazhimit politik ndër vite, tani po etiketohet me fjalë fyese dhe akuza të rënda.
“Unë, biri i Danit, i rritur në demonstrata e mjek lufte nga viti 1998 deri në fund të luftës, po shpallem bir UDB-ashi e bir shkije”, u shpreh Avdyli.
Deputeti theksoi se do të vazhdojë angazhimin politik kundër pushtetit aktual, duke akuzuar qeverinë për propagandë, linçim dhe degradim të moralit politik.
“Sot më duhet të betohem para varrit të tij dhe para gjithë heronjve tanë se do të punoj edhe më fort për t’ju mbajtur sa më larg pushtetit, njëherë e përgjithmonë”, deklaroi ai.
Avdyli shtoi se askush nuk duhet të sulmojë familjet dhe të ndjerët për shkak të bindjeve politike, duke e cilësuar gjuhën e përdorur ndaj tij si shkelje të çdo norme njerëzore dhe kombëtare.

